“Tirana s’do jetë xheloze për Durrësin e Vlorën”, Rama flet për mundësinë e kandidimit në kryeqytet: Për qytetin ku votoj, kam bërë gjithçka në 11 vjet 0 38

Kryeministri Edi Rama, në prononcimin për mediat, u pyet nga ana e gazetarit të News 24, Ergys Gjençaj, nëse do të zgjedhë të kandidojë edhe në Tiranë, duke qenë se kryetari i partisë mund të kandidojë deri në katër qarqe.

Rama u shpreh se nuk beson se Tirana do të bëhej xheloz për Durrësin dhe Vlorën, qarqet ku ka zgjedhur të hedhë kandidaturën. Ai shtoi se për kryeqytetin ka bërë gjithçka ka ditur, për 11 vjet, kur shërbeu si kryetar i bashkisë më të madhe në vend.

“Tiranës nuk i kam borxh në sensin që jam pjesë e Tiranës, jam votues në Tiranë, kështu që nuk besoj se Tirana do jetë xheloze për Vlorën dhe Durrësin, nuk ka arsye. Plus për Tiranën kam bërë gjithçka kam mundur e ditur.

Sa më shumë të kalojë koha, do kuptohet se kam bërë gjithçka që t’ja kthej nderin, pasi për 11 vjet më ka zgjedhur kryetar bashkie. I kam edhe një borxh tjetër, që u ktheva si kryeministër, pasi më penguan që të jem sërish kryetar bashkie”, tha Rama.//B.W

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Meta uron Fiter Bajramin nga KMSH: Sakrifica e besimtarëve myslimanë të na frymëzojë për një shoqëri më të drejtë e njerëzore! 0 8

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, prej ku ka uruar festën e Fiter Bajramit për të gjithë besimtarët, por edhe për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Meta është shprehur, në një prononcim për media pas vizitës në KMSH, se sakrificat e besimtarëve myslimanë duhet të frymëzojnë të gjithë qytetarët për një shoqëri më solidare, më të drejtë e më të bashkuar.

“Ishte kënaqësi për të uruar sot vëllezërit e komitetit tonë mysliman me rastin e festës së Fiter Bajramit, duke uruar të gjithë besimtarët, por edhe qytetarët shqiptarë, për të vlerësuar sakrificat e tyre, sidomos gjatë kësaj periudhe të vështirë, edhe për shkak të pandemisë. Shprehim mirënjohje edhe për ndihmat që ata kanë dhënë për të sëmurët, të varfrit. Urojmë që këto sakrifica të na frymëzojnë të gjithëve për një shoqëri më solidare, më të drejtë, më njerëzore, më të bashkuar dhe më në paqe”, tha Meta.

I pyetur nga gazetarët nëse do të paraqitet në seancën dëgjimore në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij, Meta u përgjigj shkurtër: “Vazhdojmë festën dhe mbarësi e gëzim të gjithëve”.

Kryeministri Kurti uron Fiter Bajramin: Reflektimet nga ky muaj të na shoqërojnë përgjatë vitit, të shumëfishojmë lumturinë! 0 5

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Fitër Bajrami, duke thënë se mbarësia e kësaj dite le të vulos besimin se çdoherë mund të japim më shumë sesa që marrim.

“Në mesin e begative të festës së Bajramit le t’i kujtojmë kufizimet e përjetuara gjatë Ramazanit, ashtu që reflektimet nga ky muaj të na shoqërojnë përgjatë gjithë vitit. Në këtë ditë feste, le të shumëfishojmë lumturinë duke e ndarë me të tjerët, duke uruar më të mirat për njëri-tjetrin dhe duke u kujdesur për shëndetin e njëri-tjetrit”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka shtuar se kjo festë qoftë gëzim për të gjithë.

“Qofshin zemrat tuaja gjithmonë burim shprese! Qoftë kjo festë gëzim për të gjithë”, ka shkruar Kurti.