
Shqiptarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre, duhet të bashkohen kundër varfërisë, papunësisë, korrupsionit dhe krimit të lidhur me qeverinë Rama, – theksoi kryetari i PR Fatmir Mediu, në një takim me grupin e dytë të koordinatorëve të Njësisë 4 në Tiranë.
Të bashkohemi kundër të keqes, kundër antishqiptarizmit dhe antieuropianizmit, të bashkohemi në çdo shtëpi, lagje e qendër votimi, të ndeshemi me grupet kriminale të Ramës, që do të rrëmbejë lirinë tonë për të vendosur me votë.
25 Prilli është dita e kthimit të Shqipërisë në rrugën Europiane, është dita e përgjegjësisë kombëtare, është dita ku duhet të tregojmë qartë se Europa dhe Amerika janë aleatët tanë dhe jo Serbia dhe interesat antishqiptare.
Partia Republikane si forca e dytë e së djathtës, është e angazhuar në çdo qendër votimi, për të mbrojtur votën dhe votuesit, për të bashkëpunuar me opozitën, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për të garantuar suksesin e saj politik dhe ektoral.
Partia Republikane po përcakton kandidatët e saj në të gjitha zonat elektorale.
Si parti e besimit në shërbim të familjes, të së drejtës, pronës private dhe Kombit, kemi bindjen se do ndërtojmë Shqipërinë që duam, Shqipërinë Europiane.