Paraqitja e mbrëmshme në Open e Edi Ramës nuk do të mbahet mend vetëm për përqeshjet fëminore që u bëri gazetarëve, por sidomos dhe mbi të gjitha, për fyerjet dhe sulmet që u beri dy prej mjekëve më me reputacion të vendit.
Dihet që Rama nuk pranon dot asnjë njeri që ka mendim të ndryshëm me të, por mjekët Arjan Mezini (foto djathtas poshte) dhe Genc Sulçebe nuk janë as media kazani, as presidenti i luajtur mendsh, as opozita e rrugës, pra nuk janë as armiq të pushtetit të tij absolut dhe as të reshtuar politikisht. Faji i tyre i vetëm është se janë aq profesionistë sa të guxojnë ti artikulojnë idetë e tyre.
Mjeku pneumolog Arjan Mezini që punon në spitalin “Shefqet Ndroqi” pati shprehur shqetësimin e tij në lidhje me ambientin ku qëndrojnë të sëmurët. Rama në emisionin “Open” u vu përballë kësaj deklarate ku pohohej: “Ne kemi në dhoma nga 4-5 pacientë. Mund të kishim hapur edhe covid-3 dhe covid-4 që të kishim ngarkesë virale më pak”.
Thjesht kaq sugjeronte mjeku, por kjo qe e paparanueshme për kryeministrin.
“Ky mua më kujtoi një gazetar sportiv, ky flet si trajner i pavlerësuar i Realit të Madridit. Menaxhimi nuk është punë e tij. Ai është një mjek që mund të jetë i mirë, por aty foli kot. Mbi të gjitha ajo që tha është një marrëzi më vete. Ne i pamë spitalet në Francë, Itali dhe Gjermani dhe ne nuk e kemi parë gjëkundi këtë që thotë ai. Ai flet jashtë diturisë dhe profesionit të vet. Për të dhënë mend le të japë si mjek jo për menaxhimin”./lapsi.al