
Prej javësh jemi mësuar të dëgjojmë përplasje të forta dhe akuza mes palëve politike për zgjedhjet në Shqipëri, por asgjë nuk i afrohet asaj që po ndodh në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Prej kohësh në kaos total dhe beteja në gjykatë, ai që duhet të ishte institucioni më i lartë i sportit në vend po përgatit në mënyrë të dyshimtë Asamblen e Përgjithshme të 17 prillit, nga ku do të dalë presidenti i ri dhe trupa drejtuese e tij.
Në dokumentin e hartuar nga Komisioni Verifikimit dhe Etikës, që nuk dihet se nga cilët persona përbëhet, por gjithsesi që për nga rëndësia duhet të ishte shumë zyrtar dhe në mënyrë protokollore duhej t’i dorëzohej anëtarëve të KOKSH bëhet e ditur se 23 Federata, për arsye të ndryshme, si mungesa e listës së aktiviteteve të vitit 2020, apo pagesës së kotës financiare të përvitshme nuk kanë të drejtë vote në Asamblenë e 17 prillit. Mes tyre Federata e Futbollit, ajo e Mundjes, Atletikës dhe Peshëngritjes, me këto të fundit që vazhdojnë të sjellin medalje.
Po ashtu, për mungesë dokumentacioni janë lënë jashtë garës edhe një nga kandidatët për president dhe të tjerë kandidatë për postet e tjera drejtuese të KOKSH.