
Shefat ekzekutivë të kompanive Facebook, Google dhe Twitter u përballën me pyetje të vështira nga ligjvënësit amerikanë, për rolin e këtyre firmave në trazirat në Kongres, më 6 janar, dhe dështimin për të kontrolluar përhapjen e dezinformatave.
Shefat ekzekutivë u përballën me akuza se platformat e tyre të mediave sociale nuk arrijnë të kontrollojnë në mënyrë efektive përmbajtjen.
Seanca virtuale dëgjimore në një komitet të Dhomës së Përfaqësuesve zgjati gjashtë orë.
Ligjvënësit thanë se platformat në fjalë promovojnë gjithçka, nga ekstremizmi politik deri te dezinformatat për vaksina.
Shefi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, tha se nuk është e mundur që të kontrollohet e gjithë përmbajtja e dëmshme, pa cenuar liritë.
Por, ligjvënësit u shprehën të zhgënjyer me hezitimin e Zuckerbergut, si dhe të kreut të Twitter-it, Jack Dorsey, dhe të Google-it, Sundar Pichai, për të pranuar përgjegjësinë për rolin që platformat e tyre kanë luajtur në sulmin në Kongres.