“Po vlerësojmë skenarë të ndryshëm të furnizimit, përveç Covax”, Silva Bino: Vaksinimi në Shqipëri në periudhën janar-mars 2021 0 13

Ekspertja Silvia Bino nga Instituti i Shëndetit Publik flet për DW mbi strategjinë e vaksimit të popullsisë në Shqipëri dhe sigurimin e infrastrukturës për fillimin e procesit në tre mujorin e parë të vitit 2021.

DW:  Dr. Bino, a përfiton Shqipëria nga COVAX, siç njihet skema globale e Programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, (OBSH) për vaksinimin kundër virusit Corona në vende me të ardhura të ulëta apo të mesme? Shqipëria është anëtare e OBSH dhe është klasifikuar nga Banka Botërore si një vend me të ardhura të mesme të larta.

Dr. Silvia Bino: Po, Shqipëria është pjesëmarrëse në COVAX dhe bën pjesë në vendet me vetëfinancim të vaksinës anti-COVID-19.

DW: Bordi i Aleancës Globale për Vaksinat dhe Imunizimin, që drejton COVAX-in, zhvilloi ditët e fundit një takim lidhur me përfitimin e vaksinave edhe nga rajone të varfëra të Europës, si Ballkani Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Çfarë doli nga ky takim?

 

 

Dr. Silvia Bino: COVAX ka tani marrëveshje për të siguruar rreth dy bilionë doza të disa llojeve të ndryshme të vaksinave dhe po ashtu po siguron edhe doza të tjera nëpërmjet kontributeve nga donatorë të ndryshëm. Këto marrëveshje tregojnë që të 190 vendet, që bëjnë pjesë tek COVAX, do të jenë në gjendje të marrin dozat e duhura të vaksinës për të mbrojtur grupet vulnerabël në gjysmën e parë të vitit 2021 me furnizimet e para në tremujorin e parë të vitit 2021 bazuar edhe në gatishmërinë e vendeve për të marrë vaksinën dhe aprovimin e agjencive rregullatore.

DW: Cila është strategjia e Shqipërisë për furnizimin me vaksinën kundër virusit Corona?

Dr. Silvia Bino: Si vura në dukje në krye të intervistës sonë, Shqipëria është pjesë e COVAX me vetëfinancim. Pra ajo ka paguar/blerë tek COVAX për të patur vaksinën anti COVID-19. Ndërkohë ka edhe disa propozime të tjera dhe po vlerësohen marrëveshje me vende të BE, të cilat mund të ofrojnë një sasi vaksinash si dhe me vetë Komisionin Europian për grupe të ndryshme vulnerabël. Po ashtu po bëhen përpjekje për marrëveshje direkte mes Shqipërisë me kompani prodhuese.

DW: A ka parashikuar Komiteti Teknik i Eksperteve disa skenarë të mundshëm për furnizimin me vaksina anti COVID-19? Cili skenar ka gjasa më të mëdha për t’u përdorur?

Dr. Silvia Bino: Komiteti i Ekspertëve po vlerëson skenarë të ndryshëm të furnizimit me vaksina si dhe skenarë të ndryshëm të vaksinimit në vendin tonë. Një skenar është për vaksinën e prodhuar nga PFIZER (BioNTech-Pfizer, shën. red.)që kërkon të ruhet në minus 80 gradë Celcius dhe për këtë lypset një investim për një infrastrukturë të re;  skenari tjetër është për vaksinën anti Corona të prodhuar nga kompania MODERNA që kërkon më tepër investime; skenari i tretë është për vaksinën e prodhuar nga kompania AstraAzeka për të cilën Shqipëria i ka kapacitetet dhe duhen vetëm të ketë pak shtesa. Por nuk përjashtohet edhe marrja e vaksinave nga kompania Johnson &Johnson apo kompani të tjera.

DW: Çfarë logjistike ka Shqipëria për të ruajtur vaksinat anti Corona sipas standarteve të përcaktuara si të domosdoshme tanimë, pra pasi të jetë furnizuar me vaksinat nga COVAX, vendet e BE apo Komisioni Europian?

Dr. Silvia Bino: Shqipëria ka përgatitur disa skenarë në vartësi të furnizimit me vaksina të llojeve të ndryshme dhe ka përcaktuar nevojat për secilin nga këto skenarë dhe kostot përkatëse. Janë specifikuar gjithashtu llojet e pajisjeve që duhen për vaksina të cilat duhen ruajtur në minus 80 gradë Celcius

DW: Kur mendohet të fillojë vaksinimi dhe me cilat shtresa të popullsisë?

Dr. Silvia Bino: Në 3 mujorin e parë 2021. Komiteti i Ekspertëve të vaksinimit ka identifikuar si grupe prioritare  punonjësit e shëndetësisë, rezidentët dhe punonjësit e institucioneve të kujdesit afatgjatë dhe më pas personat mbi 75 vjeç, ata mbi 65 vjeç, personat më të rinj se 65 vjeꞔ me sëmundje bashkë shoqëruese, personelin e shërbimeve kritike.

DW:  Si parashikohet grafiku i rasteve të reja të infektuara në muajt e parë të vitit 2021?

Dr. Silvia Bino: Në 4 javët e fundit kemi vënë re një qëndrueshmëri lidhur me rastet e reja, por më tej kjo do të varet shume nga zbatimi i masave gjatë festave të fund-vitit, pra atyre të distancimit social dhe fizik./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Trump heq kufizimet për fluturimet nga zona Schengen, Irlanda dhe Britania e Madhe, Biden kundër: Nuk është koha 0 4

Dy ditë para inaugurimit të demokratit Joe Biden si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, Presidenti në largim Donald Trump ka vendosur të heqë ndalimin e hyrjes për udhëtarët nga Zona Shengen, Irlanda, si dhe Mbretëria e Bashkuar, e vendosur në pranverë vitin e kaluar.

Vendimi është njoftuar nga Shtëpia e Bardhë, e cila shpjegon se Presidenti Trump ka nënshkruar një deklaratë të re duke hequr kufizimet e hyrjes për udhëtarët që vijnë nga 28 vendet e Evropës.

“Duke kuptuar që natyra e kërcënimit të paraqitur nga COVID‑19 do të evoluonte me kalimin e kohës, unë drejtova Sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimet Njerëzore të më bënin rekomandime në lidhje me vazhdimin, modifikimin ose ndërprerjen e kufizimeve që unë kisha vendosur më parë”, thekson Presidenti Trump në shpalljen e botuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

Deklarata shpjegon më tej se më 12 janar 2021, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) lëshuan një urdhër, duke detyruar të gjithë udhëtarët që mbërrinin në SHBA nëpërmjet linjave ajrore të paraqisnin prova të testit negativ COVID-19 ose prova se ishin shëruar nga COVID- 19, duke filluar nga 26 janari.

 

 

Sipas Trump, Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore i ka shpjeguar atij se kërkesa për rezultate negative të testit COVID-19 dhe prova e infektimit në të kaluarën do të parandalojë ardhjen e pasagjerëve të prekur nëpërmjet rrugëve ajore në Shtetet e Bashkuara.

“Nisur nga kjo, Sekretari më ka këshilluar që të heq kufizimet e zbatueshme për Zonën Shengen, Mbretërinë e Bashkuar, Republikën e Irlandës dhe Republikën Federale të Brazilit, ndërsa ka lënë në vend kufizimet e zbatueshme për Republikën Popullore të Kinës dhe Republikën Islamike të Iranit”, vëren Trump, duke theksuar më tej se ai ka vendosur të zbatojë këshillat e Sekretarit dhe të heqë ndalimin e hyrjes për udhëtarët nga Zona Shengen, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar, duke qenë se ata janë në përputhje me kërkesat e hyrjes.

Duke u kthyer më 11 Mars, Donald Trump nënshkroi një shpallje që ndalon udhëtarët nga 26 shtetet anëtare të Zonës Shengen të hyjnë në territorin e Shteteve të Bashkuara, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë zyrtarisht e quajti COVID-19 një pandemi.

Menjëherë më pas, në mes të numrit në rritje të rasteve me COVID-19, Presidenti Trump nënshkroi një tjetër shpallje, duke kufizuar hyrjen në SHBA për udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda.

Në atë kohë, ndalimet e udhëtimit u kritikuan nga shumë, duke përfshirë zyrtarë të BE-së, të cilët më vonë mbyllën kufijtë e jashtëm të Zonës Shengen, duke ndaluar kështu hyrjen e udhëtarëve amerikanë dhe të gjithë udhëtarëve të vendeve të treta në BE dhe territorin Shengen.

Pas njoftimit, Jen Psaki, sekretari për shtyp i Shtëpisë së Bardhë për Presidentin e zgjedhur Joe Biden, tha se tani nuk është koha për të hequr kufizimet në udhëtimet ndërkombëtare, duke përmendur përkeqësimin e pandemisë dhe variantet më ngjitëse të virusit.

“Me këshillën e ekipit tonë mjekësor, Administrata nuk ka ndërmend të heqë këto kufizime në 26 janar. Në fakt, ne planifikojmë të forcojmë masat e shëndetit publik rreth udhëtimeve ndërkombëtare në mënyrë që të zbusim më tej përhapjen e COVID-19”, shkroi Psaki në “Twitter”.

 

 

 

 

 

 

 

 

(BalkanWeb)

Nuk pritej! Kylie Jenner vishet nga stilistët shqiptarë [FOTO] 0 5

Një nga personazhet publike më të njohura në botë, Kylie Jenner, i ka surprizuar të gjithë së fundmi.

Ylli televiziv shfaqet gjithmonë e kuruar në publik apo në rrjetet sociale. E reja tregon se ka shumë stil në veshje dhe nuk i zhgënjen fansat me zgjedhjet e saj.

Kylie ka postuar një video ku pozonte para pasqyrës dhe mbante veshur një palë pantallona dhe bluzë të bardhë, si gjithnjë shumë seksi. E veçanta këtu është se pantallonat e saj janë të stiluar nga stilistë shqiptarë të firmës “Street style jeans”.

Vetë firma ka ndarë videon në rrjetet sociale. Stilistët marrin xhinsa të vjetra dhe i përshtatin me trendet e fundit, madje edhe i personalizojnë veshjet.