Përse penalizohen emigrantët? 0 43

Nga Ira Londo

“Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.915, datë 4.11.2020, botuar në Fletoren Zyrtare më 27.11.2020 “Për përcaktimin e rregullave për njoftimin e detyrimit për vetëdeklarim të adresës nga shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të procedurës së plotësimit e të dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit dhe të dokumenteve shoqëruese të tij, administrimin e tyre nga autoritetet përgjegjëse, si dhe të shërbimeve të tjera që ofrojnë këto autoritete ndaj shtetasve.”

Një hap i rëndësishëm drejt identifikimit të diasporës dhe sigurimit të së drejtës së votës është hedhur më në fund! Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave, mesa duket, synon në realizimin e censusit të diasporës me të dhëna të qarta e të sakta, sipas vetëdeklarimit të çdo individi jashtë vendit. Këtu jo vetëm që nuk ka asgjë të keqe, por përkundrazi, kemi përshtypjen se erdhi dhe tepër vonë!

Ndërsa lexoj me vëmendje vendimin me nr. 915, të botuar në Fletoren Zyrtare më 27.11.2020, në radhë të parë si informacion i duhur për veten dhe në vijim, si detyrim për infomimin e mëtejshëm të komunitetit shqiptar në Greqi, përmes rrjeteve sociale të organizuara të komunitetit, pasi mediat tona i përpiu kriza ekonomike greke, më duket se diçka lexoj gabim!

Qeveria e fundit e Shqipërisë në pamundësi të mbajtjes së premtimeve elektorale, gjithsesi, nuk i anashkaloi emigrantët, këtë nuk mundemi ta mohojmë: në “Gazetën e Athinës”, media komunitare, në një intervistë me gazetarin shqiptar të lindur në Greqi, Vasil Merko, lideri i opozitës së atëhershme, sot kryeministër në mandatin e dytë, kishte deklaruar se pas fitores së zgjedhjeve të 2013-shit planifikonte themelimin e ministrisë së Emigracionit! E megjithatë sot shqiptarët anembanë botës kanë ku trokasin: ekziston ministria e Diasporës si dhe një sërë institucionesh të posaçme (agjenci, kryesisht) të fokusuara në kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve jashtë vendit, një gazetë të pavarur me tematikë të gjerë, Këshillin e Diasporës, Koordinatorë të Diasporës… një listë e gjatë që nuk gjej arsyen të zgjatem, as të komentoj apo analizoj në këto rreshta!

Paralelisht, emigrantët në Greqi- (do doja të referohesha si diasporë, por duke e njohur realitetin me sy mbyllur, mendoj se është tepër e vogël përqindja që meriton titullin, aq sa personalisht do vonoj pak vite akoma të ndjek terminologjinë tuaj)- emigrantët, pra, prej një dekade kanë mundësinë të pajisen me kartë identiteti dhe pasaportë biometrike në Athinë e Selanik, shërbime tepër lehtësuese, megjithë karvanin e gjatë të problematikës historike, që sërish nuk do e shpalos këtu.

Platforma elektronike e-Albania mund të përfshihet lehtë në këtë kuadër shërbimesh novatore, që padyshim rendit Shqipërinë në vendet e zhvilluara me një sistem administrativ të konsoliduar, pavarësisht vështirësive të njohura me të cilat ndeshen në aplikimin elektronik ende emigrantët shqiptarë të Greqisë, të paktën një përqindje e lartë e tyre. Nuk do duhej të ishte ky realiteti, e kundërta do duhej të ndodhte, por ja që kështu funksionon ky komunitet, eksperiencat e egra shumëvjeçare me sistemin publik në Greqi e kanë stepur aq sa të përballet me hezitim ndaj çdo risie apo reforme moderne.

Së fundi, si një arritje madhështore vjen dhe diskutimi i votës së diasporës, që ka ngjallur kureshtjen, por dhe ambiciet për ndërhyrje radikale në sistemin qeverisës, e si rrjedhim dhe në të ardhmen e Shqipërisë, duke e shndërruar në një shoqëri progresive e të denjë europiane.
Nuk ka shtetas shqiptar jashtë Shqipërisë që të jetë kundra progresit social-ekonomik të atdheut, të mos ëndërrojë ditën kur ky vend kaq i vuajtur të anëtarësohet në familjen e madhe të BE-së!

Në këtë kuadër, askush nuk do i rezistojë të drejtës së votimit aty ku ndodhet! Padyshim që shumica do të nxitojnë të përfitojnë nga shansi, për të cilin do duhet të presim fushatën e ardhshme elektorale. Çdo gjë e mirëkuptuar dhe e pritshme!

Çfarë nuk shpjegojmë dot, çfarë nuk konceptoj dot, megjithë diskutimet me një sërë shqiptarësh të Greqisë, anëtarë organizatash apo individë të integruar mirë në vend, është pika 4.e vendimit, ku konkretisht, për sa nuk kanë akoma akses në përmbajtjen e vendimit, përcakton se:
“4.Shtetasit shqiptarë mbajnë përgjegjësi administrative për mospërmbushje të detyrimit ligjor të vetëdeklarimit të adresës së tyre dhe autoritetet përgjegjëse, në rast konstatimi të mospërmbushjes së këtij detyrimi, pezullojnë kryerjen e shërbimit të kërkuar, derisa shtetasi të përmbushë detyrimin ligjor të vetëdeklarimit të adresës”. Një pikë që e përforcoi me deklaratat e tij edhe ish-ministri i Brendshëm, z. Sandër Lleshaj, në prezantimin e vendimit, gjatë konferencës për shtyp, duke theksuar se sa nuk përmbushim detyrimin, do të mbetemi pa kartë identiteti.

Sa për dijeni, shtetasit shqiptarë jashtë Shqipërisë mbajmë të gjitha përgjegjësitë vetë, prej vitesh e dekadash! Askush nga shteti shqiptar, asnjë qeveri deri më sot, nuk mundi a arriti të kryejë një ndërhyrje të prekshme për të ndarë sadopak përgjegjësitë, apo të paktën të vinte para përgjegjësisë kopetentët e një sërë padrejtësive apo shkeljeve ligjore/administrative, me të cilat janë përballur emigrantët shqiptarë në Greqi, ndër vite. Paralelisht, ky trajtim nuk ka qenë ndryshe edhe në atdhe, për vite me radhë!

Si mund të mos reagosh i indinjuar, kur dialogu me të ashtuquajturën diasporë fillon me penalizime? Për mua do të përbënte surprizën e radhës një pranim në heshtje nga shqiptarët jashtë vendit, që nuk duket se do ndodhë, pasi kërkesa me detyrim e penalizim i adresës së vendbanimit që madje duhet vërtetuar me një dokument shoqërues, përbën të paktën shkelje të të drejtave bazë të njeriut!

Në fund të fundit, si jeni kaq të sigurtë se në këtë kohë krize globale, të gjithë shqiptarët jashtë Shqipërisë janë kaq të suksesshëm sa të jetojnë në shtëpitë e tyre? Çfarë bëhet me ata që kanë humbur punët, dokumentat, që strehohen përkohësisht në shtëpi miqsh pa kontratë, me ata që jetojnë në apo nga fondacione bamirëse? Normale që sa u duhet karta e identitetit janë ata që nuk disponojnë shtetësi tjetër. Si mund të kushtëzohen me kaq ashpërsi nga vendi amë, në një periudhë kaq kritike?

Në Greqi, vend anëtar i Be-së, shtetasit grekë të regjistruar në zyrën tatimore për diasporën detyrohen të deklarojnë një përfaqësues brenda territorit grek, me adresë e telefon në Greqi, për të ardhur në kontakt, në raste urgjente. Sivjet, për herë të parë, për sa shtetas grekë janë larguar nga Greqia, por nuk kanë larguar dhe detyrimet tatimore në vend tjetër, duhet të deklarojnë një adresë e telefon në vendin ku kanë emigruar. Kjo, gjithashtu, ekskluzivisht për kontaktin në detyrimet tatimore. Sepse edhe Greqia ballkanike ka një sistem të konsoliduar tatimor, prej vitesh!

Polakët, rumunët, bullgarët, gjithashtu kanë lirshmëri në deklaratat e të dhënave të tyre, edhe pse dy komunitetet e para votojnë normalisht në zgjedhjet parlamentare e për Europarlamentin, në konsullatat e Athinës e kudo janë vendosur nga vendet përkatëse.
Emigrantët shqiptarë të Greqisë, nga ana tjetër, pas shumë vitesh anashkalimi, neglizhimi, harrese të plotë, të përballur me sa e sa probleme, stereotipe, arrogancë pafund dhe mbi të gjitha, pas një viti të tmerrshëm, duke u dergjur nëpër radhë tërkuzë për rinovimin e pasaportave, PENALIZOHEN!

Sa shpejt harruat torturën e stërgjatur prej një viti të familjeve të tëra, me foshnje e të moshuar, të endur nëpër trotuaret e konsullatave Athinë e Selanik, për pasaportën. Vonesat, sekserët, shfrytëzimin e paskrupullt, derisa brenda vetëm dy muajsh gjithçka u sistemua si me një shkop magjik! Në prag të shpalljes së fushatës së re elektorale! Ndoshta e kam gabim, po ja që datat përkojnë! Nuk ishit në dijeni të sa ndodhnin muaj të tërë? Detyra juaj ishte të ishit në dijeni të plotë dhe të dëgjonit jo thirrjet, po klithmat e dëshpëruara të qindra mijra njerëzve!
Për të mos përmendur valën e parë të pandemisë së covid-19 me mbylljen e papritur dhe hermetike të kufirit, kur ngjallën mëshirën e policisë greke-ku u dëgjua?- të braktisur në të ftohtin e akullt, pa asnjë informacion, me ambasadën e konsullatat të heshtura, pa lajme, pa as të mjerin facebook të rinovohet, ndryshe nga çdo përfaqësi tjetër diplomatike, ku numri i shqiptarëve as krahasohet me të Greqisë!

Pak herët për penalizime, nuk mendoni? Akoma edhe referimi në mënyrë tipike është i tepërt, nuk mund të penalizohen emigrantët nga shteti amë! Kam përshtypjen, e qofsha e gabuar, se borxhet e palara janë akoma viganë! Po edhe ndryshe të jetë, penalizimi në mënyrën e formuluar në këtë vendim, mbetet një shkelje e therrshme e të drejtave të njeriut…

*Gazetare, ish-botuese e medias komunitare në Greqi “Plus Gazeta e Athinës”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Partia republikane realizon takimin ne njesine numer 7 0 9

Gjate pasdites se sotme anetare te partise Republikane u mblodhen ne takimin e organizuar prane njesine numer 7 ne qytetin e Tiranes.

Te pranishem ishin nder te tjere edhe Blendi Sulaj, Famela Sullaj, si dhe anetare te tjere.

Arsyeja e mbledhjes ishte organizimi i metejshem i puneve ne lidhje me zgjedhjet e muajit prill.

Ne takim moren pjese edhe anetare te forumit rinor te partise Republikane.

Pritet te shohim ne ditet ne vazhdim ecurine e organizimeve te bera nga partia Republikane./albaniareport.al

Ups! Selena Gomez e mërziti aq keq Malumën, saqë ai na e tregoi të gjithëve! 0 12

Duket se dikush e mërziti Malumën, dhe shumë po shikojnë drejt Selena Gomez.

Këtë të premte, këngëtarja 28-vjeçare u bëri fansave një dhuratë me kthimin e saj në muzikë. Dhe ata që buzëqeshën më shumë janë fansat latinë, pasi kënga e saj e re është në spanjisht: De una vez.

Fabula e këngës flet për dhënien fund një marrëdhënieje dhe në vetëm 25 orë klipi i kapërceu 15 milionë shikime.

Ndërsa “selenatorët” janë super të emocionuar nga ky projekt dhe po praktikojnë spanjishten(ata që s’dinë), një reagim i Malumës ka marrë vëmendjen e të gjithëve duke na bërë të dyshojmë se i drejtohet këngëtares amerikane.

Vetëm pak orë pas lançimit të këngës, Maluma shkroi në një status në Twitter: “Nëse nuk doni të punoni me dikë vendoseni në dijeni. Ka njerëz që shpresojnë kot që në fund të marrin 0. Sinqeriteti mbi të gjitha.”

Pse fansat mendojnë se kjo i referohet Selenës?

Nëse e thua për Selenën, ajo e bëri të qartë në një intervistë se nuk do të bashkëpunojë me ty dhe ashtu bëri!”-i shkruante një nga fansat kolumbianit. Intervista të cilës i referohet ndjekësi është një ku Selena dyshohet se kritikoi Maluma për këngën “Cuatro Babys”.

Në vitin 2017, këngëtari i “Hawaii” i shkroi koleges së tij në Twitter: “Do të doja të bëja një këngë me ty. Zoti të bekoftë, ti je një shembull. Unë të admiroj”.

Sakaq, në vitin 2018, Maluma ka thënë në një intervistë për një media braziliane se kishte qenë në kontakt me Selena Gomez për të punuar, por që mesa duket ajo ishte shumë e zënë dhe bashkëpunimi i tyre nuk u realizua kurrë.

Në dhjetor të viti që lamë pas media të tilla si ‘Popsugar’ raportuan se artistët filluan të ndiqnin njëri-tjetrin në Instagram, duke shkaktuar thashetheme për një bashkëpunim të mundshëm.

Megjithatë, aktualisht Maluma nuk është në listën e personave që ndjek Selena në këtë rrjet sociale, teksa kolumbiani vijon ende ta ndjekë atë.

Nuk mund të themi me siguri se çfarë ka ndodhur mes tyre dhe nëse statusi i “pretty boy, dirty boy” i adresohet Selenës, por për momentin kjo është teoria që po qarkullon në rrjet. A do kemi një bashkëpunim mes tyre në të ardhmen? Kurrë nuk i dihet./iconstyle