Autoritetet janë të shqetësuar se në muajin janar mund të ketë rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus. Të dielën turma të njerëzve u dyndën në dyqane dhe qendra tregtare, pasi vendi ka lehtësuar disa prej masave që kishte vendosur muajin e kaluar.

Më 13 dhjetor, Italia raportoi 484 vdekje të lidhura me koronavirusin. Të shtunën, ky vend tejkaloi Britaninë e Madhe, si vendi evropian me numrin më të lartë të vdekjeve.

Qeveria mund të vendosë masat nën të ashtuquajturat rregulla bllokimi “të zonës së kuqe” nga 24 dhjetori deri të paktën 2 janar, duke zgjatur orën policore gjatë natës, pastaj duke ndaluar lëvizjen jo-thelbësore dhe mbylljen e dyqaneve, bareve dhe restoranteve gjatë fundjavave dhe pushimeve, me përjashtim të atyre që shesin mallra thelbësore, raportuan mediat italiane.

“Turmat e njerëzve janë të pajustifikueshme, iracionale, të papërgjegjshme”, i tha ministri italian i çështjeve rajonale, Francesco Boccia të përditshmes italiane la Repubblica./rel