
Pas disa orësh proteste para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, qindra protestues marshuan mbrëmjen e kaluar, rreth mesnatës, drejt banesës së 25-vjeçarit Klodian Rasha, që u vra nga policia.
“Kërkojmë drejtësi. Atë që është për cdo njeri, qytetar, shqiptar, të ri, të moshuar, kërkoj që secili të gëzojë të drejtën dhe të gjejë atë shpresën te shteti, te ligji, te rregulli, te ajo që është e mira për të gjithë, që ti shërbejë, qoftë fëmijës, të rriturit, të moshuarit, që të kemi shpresë, të kemi të ardhme, që rinia të shkëlqejë, të eci përpara, të gëzojë një ditë të re.
Shteti të bëjë punën e vet, të japë drejtësi, fajtori të shkojë në vendin që meriton dhe ne të kemi një fije shpresë dhe mbështetje, dhe të mendojmë se kemi një të ardhme në vend dhe të rrisim fëmijët pa ndrojtje, apo frikë, që të mos ketë frikë të dalë te rruga dhe të kthehet dhe të vijë në këtë gjendje që erdhi i imi. Kjo mos i raftë askujt, nuk ia dëshiroj askujt.
Ju lutem, mos më vini gjëra që nuk e kam në karakterin tim, familjen time, fisin tim. Jam një qytetar, prej 50 vitesh banor i Tiranës, i kam shërbyer vendit, shtetit, kam punuar me ndershmëri. Gëzoj respektin e familjes, të lagjes, të të gjithëve. Mos më vini, se unë nuk i shërbej askujt, vetëm familjes, ashtu siç duhet t’i shërbeni edhe ju. Mos më rëndoni me gjëra e lloj lloj formave, që nuk i imagjinoj, pse duhet bërë, kur është e qartë. Ju falënderoj të gjithëve, paçi të gjithë veç ditë të lumtura, jo këtë që kam unë”, iu tha babai i viktimës protestuesve.
(BalkanWeb)