Për Elseid Hysaj janë javët e fundit që luan me fanellën e Napolit. Mbrojtësi shqiptar do të nisë një aventurë të re në verë dhe do të jetë një okazion për shumë ekipe pasi për kartonin e tij nuk do të shpenzohet asnjë qindarkë.

27-vjeçari do të largohet me parametër zero në fund të sezonit aktual dhe prej kohësh agjenti i tij, Giuffredi ka paralajmëruar se ofertat për mbrojtësin shqiptar nuk mungojnë dhe janë ndër ekipet më të mira.

Prej kohësh Roma dhe Lazio kanë studiuar terrenin për të arritur te Hysaj ndërsa tani është shtuar edhe Milani, të cilët kanë nevojë për alternativa nga krahët e mbrojtjes.

Agjenti Giuffredi pak ditë më parë tha se Hysaj do ta mirëpriste një ofertë nga një skuadër që luan me mbrojtjen me 4 dhe Milani luan gjithmonë me një skemë të tillë ndrryshe nga Lazio me 3 dhe Roma që aplikon me të dyja format e mësipërme.

Gjithashtu nga Milani do të largohet Dalot që është i huazuar nga Man. United dhe kjo do t’i hapte rrugë afrimit të Hysajt për të kompetuar repartin me nga dy lojtarë për mbrojtje.

Për të mos harruar që Hysaj është i vlefshëm edhe për krahun e majtë ndaj një jolly si shqiptari për mbrojtjen do t’i bënte punë Milanit dhe jo vetëm.

Të presim zhvillimet e mëtejshme se si do të shkojnë bisedimet.