Fatmir Mediu Kryetari i Partisë Republikane e zhvilloi  takimin e radhës elektoral në zonën e Laprakës ku bashkëbisedoi me qytetarët dhe bizneset e kësaj zone. Mediu u shpreh se fajtor  për gjendjen e vështirë ekonomikë është qeveria me menaxhimin e saj dhe korrupsionin masiv.

“Sot jemi në një situatë ku janë dy botë përballë njëra-tjetrës. Është bota e një kryeministri që ka ndërtuar një regjim të korruptuar, i cili kërkon pushtet dhe vetëm pushtet për interesat e tij korruptive dhe kriminale dhe nga ana tjetër është bota e shqiptarëve të cilët duan një jetë më ndryshe, një jetë ku liria dhe dinjiteti ka vlerë të padiskutueshme.

Kemi në njërën anë kryeministrin i cili ka shkatërruar ekonominë e këtij vendi dhe nga ana tjetër kemi njerëzit që duan të punojnë për atë që është e vlefshme për ekonominë e tyre private, ekonominë e tyre familjare dhe ekonominë e tyre kombëtare. Janë dy pasqyra krejt të ndryshme,” tha ai.

Gjatë fjalimit të tij Mediu theksoi se vota nuk duhet shitur por duhet çuar para drejtësisë çdokush që kryen krime elektorale. Gjithashtu ai kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për t’i dhënë fund  korrupsionit.