Mbi 10 mijë vdekje shtesë në vend që nga fillimi i pandemisë. Në mars 2021 u dyfishuan 0 19

Më se një vit nga fillimi i pandemisë në vend, bilanci i pasojave në jetët e humbura sa vjen e po bëhet më shqetësues. Dy valët e mëdha të pandemisë, nëntor-dhjetori 2020 dhe shkurt-marsi 2021 kanë qenë fatale. Sipas të dhënave paraprake nga Gjendja Civile, që referojnë aktet e vdekjeve (datës së regjistrimit në regjistër të vdekjeve të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë), në mars 2021 kishte rreth 3900 fatalitete në vend, me dyfishim (rritje 108%) në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shkurt 2021 u regjistruan rreth 3500 akte vdekje dhe në janar rreth 2,800.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë regjistruar gjithsej 10.2 mijë vdekje, me një rritje prej 70% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ende nuk kishin filluar të ndiheshin pasojat e pandemisë (me rastin e parë që u identifikua në 9 mars 2020). Ky është tremujori më fatal, të paktën që nga viti 1990 kur raportohen të dhënat. Mesatarisht çdo ditë kanë humbur jetën gjatë kësaj periudhe 113 persona, nga 67 në tremujorin e parë 2020.

Në vite normale, humbin jetën 21-22 mijë persona në vit, sipas INSTAT, por këtë vit vetëm në tremujorin e parë kanë ndodhur aq humbje jete, sa regjistroheshin normalisht në 6 muaj.

Dhjetori mbetet muaji me më shumë fatalitete

Efektet e pandemisë në vend filluan të ndihen që nga muaji qershor, pas rihapjes së vendit nga karantina e rreptë e mars-majit.

Pas një vale të parë nga qershori deri në tetor, ku fatalitetet u rritën deri me 47% në gusht, vala e dytë e nëntorit solli përkeqësim të pandemisë, pas hapjes së shkollave dhe fillimit të dimrit. Në nëntor u shënuan gjithsej 3,373 jetë të humbura, me rritje 111% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke shënuar rritjen më të lartë në përqindje në Europë në një muaj përgjatë gjithë ciklit të pandemisë, por edhe në raport me gjithë muajt e deritanishëm në vend.

Muaji më tragjik, për numrin total të vdekjeve, deri tani ka qenë dhjetori, me 4,167 fatalitete, me dyfishim (98%) në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë (rreth 2 mijë vdekje më shumë). Në dhjetor humbën jetën 134 persona në ditë, përkundrejt 68 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e katërt 2020 u shënuan gjithsej gati 9800 fatalitete, me rritje 81%, në raport me tetor-dhjetor 2019.

Më pas, situata u qetësua disi në janar, pas pushimeve të fundvitit në shkolla dhe shtimit të kufizimeve të lëvizjeve, me rritje 30% , ose 667 fataliteteve më shumë.

Pas dhjetorit, situata më e rënduar ka qenë në shkurt-mars të këtij viti, ku sërish u konstatua një valë e shtuar e tretë e pandemisë dhe një mbingarkesë në spitale. Marsi 2021 iu afrua niveleve të dhjetorit 2020 për humbjen e jetëve (shih grafikun: Ecuria e vdekjeve sipas muajve).

Tradicionalisht, tremujori i parë i vitit ka një nivel më të lartë vdekjesh në raport me periudhën tjetër të vitit, si rrjedhojë e motit të ftohtë, që ul imunitetin, kryesisht të të moshuarve.

Mbi 10 mijë fatalitete shtesë që nga fillimi i pandemisë, rritje rreth 48%

Në 12 muaj, nga prilli 2020 në mars 2021, gjithsej në vend janë regjistruar rreth 32.2 mijë jetë të humbura, nga 21.7 mijë në të njëjtën periudhë 12 mujore të vitit të mëparshëm, me rritje prej rreth 48%. Në total janë mbi 10 mijë vdekje shtesë në vend, që nga periudha e fillimit të pandemisë.

Vala më vdekjeprurëse ka qenë në pesë muaj nga nëntori 2020 deri në mars 2021, periudhë në të cilën është regjistruar rreth 77% e shtesës së fataliteteve që nga nisja e pandemisë. Ndryshe nga pjesa më e madhe e shteteve të Europës që rikthyen karantinës, në Shqipëri u zbatuan vetëm kufizime minimale të orareve të mbrëmjes.

Sipas mjekëve, rritja e lartë e vdekshmërisë lidhet me efektet direkte të Covid-19 (të përshkallëzuara dhe nga sistemi i dobët i kujdesit shëndetësor dhe lëvizshmëria normale e njerëzve, përveç darkës), si dhe shtimit të fataliteteve së sëmundjeve të tjera, për shkak të mungesës së diagnostikimit dhe stepjes për të shkuar në spitale. Një tjetër problematikë, që po konstatohet, lidhet edhe me pasojat, që po lë Covid-19 tek ata që e kalojnë atë, duke rritur predispozitën për trashje gjaku, që mund të sjellë goditje në zemër, në tru, trombozë etj.

Që nga fillimi i pandemisë, në mars 2020, deri në fund të 2020-s, Shqipëria regjistroi dhe rritjen më të madhe të fataliteteve në Europë.

Nga të dhënat rezulton se Shqipëria, e cila zgjodhi të zbatojë kufizime të rrepta vetëm në mars-maj ka përjetuar valën më fatale të pandemisë, me një rritje të numrit të vdekjeve me 38% për mars-dhjetor 2020, krahasuar me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019. Shqipëria ka një diferencë rreth 30% më të lartë për shtesën e vdekshmërisë në periudhën e pandemisë me të gjithë shtetet e tjera të Europës.

/Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

“Është në dëm të mjedisit”, Elon Musk bën njoftimin: Makinat e Tesla-s nuk mund të blihen me Bitcoin 0 10

 

Kompania e makinave elektrike Tesla, ka pezulluar blerjen e automjeteve të tyre, përmes parasë elektronike Bitcoin.

Lajmi është bërë i ditur nga themeluesi i kompanisë, Elon Musk. Në një postim në rrjetin social “Tëitter”, ai thotë se mbetet shqetësuese rritja e shpejtë e përdorimit të Bitcoin, e këtë e arsyeton si një dëm për mjedisin.

“Ne jemi të shqetësuar rreth rritjes së shpejtë të përdorimit të lëndës djegëse fosile për rrjetin dhe transaksionet Bitcoin, veçanërisht qymyri i cili ka emetimet më të këqija se çdo lëndë djegëse tjetër.

Kriptomonedhat janë një ide e mirë në shumë nivele dhe në besojmë se ai ka një të ardhme premtuese, por kjo nuk mund të vijë si një kosto e madhe për mjedisin”- shkroi Musk.

“Pas errësirës gjithmonë vjen drita”, Kryemadhi urim për besimtarët: Sot është dita e krijimit të një fryme të re për të cilën qytetarët kanë nevojë 0 10

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.

Në një prononcim për mediat, ajo ka thënë se pas errësirës vjen drita dhe uroi që për shqiptarët të vijë frymë e ndryshim i ri, për të cilën sipas saj, qytetarët kanë nevojë.

“Sot kemi një ditë pak gri, por gjithmonë pas errësirës vjen drita dhe ajo që dua të theksoj sot në këtë ditë Fiter Bajrami, dua t’ju uroj gjithë shqiptarëve pas një muaji stërmundimesh dhe agjerimesh për të shlyer të gjitha mëkatet e jetës.

Sot është dita e madhe e krijimit të një jete të re, e krijimit të një fryme të re, e një begatie dhe një solidariteti, për të cilën sot shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë. 

Do doja që tju uroja gjithë shqiptarëve këtë Fiter Bajram, jo vetëm shqiptarëve myslimanë, por të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Sepse në këto ditë të rëndësishme të bashkimit, që janë ditët më të rëndësishme për familjen shqiptare, për atë institucion që është shumë më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër.

Besimi në Zot është ajo që u jep kurajon dhe forcën. Na jep forcën për tu ngritur, na jep forcën për të përballuar sfidat dhe na jep forcën për të gjetur sfida të reja, jetë të re, angazhime të reja, të cilat janë të domosdoshme për të gjithë ne. Faleminderit, gëzuar dhe për shumë vjet tē gjithëve.”, u shpreh Kryemadhi.