
Klientët i janë kthyer sërish artizanit kur bëhet fjalë për këpucët me porosi. E shohin materialin me sytë e tyre, zgjedhin modelin dhe e përshtasin me përmasat. Gjithçka është origjinale dhe bërë sipas dëshirës. Kurizozë se si bëhen një palë këpucë, vizitojmë artizanin Danjel Zhupa. E gjejmë teksa punon një palë këpucë balerina, me porosi.
Me shkathësi thotë se këtë punë e ka nisur në emigracion, jo nga halli, po nga besimi tek vetja se mund ta bënte fare mirë, edhe pse siç thotë ai, mjeshtri grek nuk ia ka dhënë zanatin, po ai ia ka vjedhur duke e parë shpesh teksa ai punonte. “E pyesja pa i rënë në sy që kisha interes dhe ia mora dorën shumë mirë. E bukura është kur e vjedh zanatin.”-tregon Danjeli i cili tani është shumë i njohur në këtë profesion. Sa u përket preferencave të klientëve, ai shprehet për porosi nga më të thjeshtat deri tek më të çuditshmet me lëkurë krokodili a iguanash.
Pa e ndërprerë punën tregon për “Vila 24” se kjo punë nuk ka fitime të mëdha, po arrin të sigurojë të ardhura të kënaqshme./B.W