
Artan Nisllaj, ish-drejtor i “Emporiki Bank” është arrestuar nga Policia, raporton newsbomb.al. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në vitin 2015 është shpallur fajtor dhe është dënuar me 18 muaj burg.
“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Artan Nisllaj, 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Gjirokastër e ka dënuar me 18 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë”, njofton Policia.
Newsbomb.al mëson se në vitin 2014 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin nr.54/21-2014-204, ka vendosur: “Deklarimin fajtor të të pandehurit Artan Nisllaj për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” dhe bazuar në nenin 143 paragrafi i parë i Kodit Penal (KP), dënimin e tij me 300.000 (treqind mijë) lekë gjobë.”.
Pas këtij vendimi, Nisllaj e ka çuar çështjen në Gjykatën e Apelit Gjirokastër dhe kjo gjykatë ka dhënë një dënim më të lartë.
Me vendimin nr.20-2015-127/42, datë 19.02.2015, Gjykata e Apelit Gjirokastër, ka vendosur: “Ndryshimin e vendimit nr.54/21-2014-204, datë 27.02.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjirokastër. Deklarimin fajtor të të pandehurit Artan Nisllaj për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i KP-së dhe dënimin e tij me një vit dhe gjashtë muaj burgim.”
Mirëpo, Artan Nisllaj nuk ka pranuar as vendimin e Gjykatës së Apelit dhe e ka çuar çështjen në Gjykatën e Lartë, Kolegji Penal i së cilës nuk ka pranuar rekursin, raporton newsbomb.al.
“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.00-2017-197, datë 16.03.2017, ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi kundër vendimit nr.20-2015-127/42, datë 19.02.2015 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër me arsyetimin se nuk përmban shkaqe nga ato që parashikon neni 432 i Kodit të Procedurës Penale (KPP)”, thuhet në vendim.
I ndodhur në këto kushte dhe përballë një dënimi me 18 muaj burg, ish-drejtori i “Emporiki Bank” Artan Nisllaj, ka bërë dhe betejën e fundit në vitin 2017. Ai e ka dërguar çështjen e tij në shkallën e fundit të sistemit të drejtësisë shqiptare, në Gjykatën Kushtetuese. Por edhe kjo e fundit duke mos parë cënimin e asnjë standarti në gjykimin e çështjes së Artan Nisllajt, nuk e ka marrë në shqyrtim kërkesën e tij.
“Gjykata nuk konstaton cenim të këtij standardi as nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Lartë. Gjykata e Lartë nuk është e detyruar ta kalojë çështjen në seancë ose të pranojë kërkimet e palëve në çdo rast, për rrjedhojë, vetëm fakti i shqyrtimit të rekursit në dhomën e këshillimit nga ana e Gjykatës së Lartë dhe mospranimi i tij për shqyrtim në seancë plenare nuk mjaftojnë për të arritur në përfundimin se procesi i zhvilluar në atë gjykatë është jo i rregullt nga pikëpamja kushtetuese”, thueht në një nga arsyetimet e Gjykatës Kushtetuese, me vendim nr. 199 datë 20.09.2017./NewsBomb