
Përtej servilizmit që imponon frika apo adhurimi për shefin, dashur pa dashur, Veliaj vuri në peshore aftësinë e Ramës për të siguruar vaksinën. Sepse tani që gara është realitet dhe shtetet kanë bërë porositë e para, ia vlen të bësh një krahasim si ai që i kishte shkuar mendja Veliajt.
Ku qëndron “miku i kokave të botës” në renditjen e garës për një vaksinë?
Britania e Madhe
Britania e Madhe u bë shteti i parë në botë, që autorizon aplikimin e vaksinës anti-covid të firmave Pfizer dhe BioNTech. Brenda kësaj jave, do të furnizohet me 800 mijë doza për të nisur me vaksinimin e stafeve spitalore dhe të moshuarve mbi 80 vjeç, që këtë muaj. Por sigurisht që krahasimi me Britaninë e Madhe do të ishte i padrejtë për kryeministrin e një vendi të vogël si Shqipëria.
Italia
Vaksinimi në Itali pritet të nisë nga 15 Janari. Kreu i Këshillit të Lartë të Shëndetit në këtë vend, Franco Locatelli lajmëroi pak ditë më parë se Italia do të marrë vaksinat e para sapo ato të aprovohen nga agjencia evropiane e ilaçeve EMA.
Gjithsesi, Italia është një nga vendet e fuqishme të Bashkimit Europian dhe krahasimi i diplomacisë dhe fuqisë ekonomike të saj mund të jetë i papërshtatshëm për një vend si Shqipëria.
Greqia
Krahasim mund të bëhet me Greqinë. Fqinjët tanë jugorë mund ta nisin vaksinimin që në fund të këtij muaji. Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas tha në një intervistë për Mega se vaksinimet do të fillojnë në fund të dhjetorit dhe fillimin e janarit dhe qeveria do të nisë një fushatë informimi në mënyrë që të bindë qytetarët për rendësinë dhe besueshmërinë e vaksinës. Ai theksoi se qëllimi i qeverisë është të përfundojë vaksinimin e qytetarëve deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm.
Duke qenë se Greqia është vend anëtar i Bashkimit Europian, ndoshta aftësia e Ramës në garën për vaksinën nuk është e drejtë të krahasohet me atë të Mitsotakis.
Serbia
Vuçiçi u ka thënë serbëve se ka paguar tashmë për 1.8 milion doza të vaksinave nga disa partnerë njëherësh. Një pjesë do të merren nga Covax dhe një pjesë ka premtuar t’i tërheqë në fund të këtij viti.
“Deri më tani kemi 1.8 milion doza për në fund të këtij viti dhe për të gjithë vitin tjetër nga sistemi Covax dhe duket se do të jetë vaksina e Pfizer-BionTech, por ne po negociojmë edhe më Kinën, Rusinë, Britaninë e Madhe dhe me këdo nga ku mund të marrim një vaksinë, sepse ne duam sasi më të mëdha”është shprehur ai.
Maqedonia e Veriut
Edhe Maqedonia e Veriut është pjesë e Covax njësoj si Shqipëria. Por fqinjët tanë lindorë nuk janë mjaftuar vetëm me ofertën për vaksinimin e vetëm 20% të popullsisë që ofrohet nga Covax. Përveç 800 mijë dozave të Covax, pritet të merren furnizime të tjera edhe nga Greqia, sipas një marrëveshjeje që është bërë me kryeministrin grek Kiriakos Mitsotakis.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka thënë se përpos programit COVAX, Maqedonia e Veriut tashmë ka dhe dy oferta të tjera për t’u furnizuar me vaksina kundër koronavirusit.
“Kemi edhe dy oferta tjera, njëra nga Polonia dhe tjetra përmes kryeministrit grek (Kyriakos) Mitsotakis, i cili në takimin në Selanik ka shprehur vullnetin dhe mundësinë që të jemi pjesë e sasisë së tyre të prokurorimit, ku si vend anëtar në Bashkimin Evropian, Greqia do të furnizohet me vaksinë përmes kontratës së drejtpërdrejtë me kompaninë AstraZeneca”, ka bërë të ditur ministri Filipçe, shkruanEvropa e Lirë.
Po ashtu, marrëveshje janë bërë direkt edhe me disa kompani që po zhvillojnë vaksinat, sipas Aleksandra Grozdanova, kryetare e Komitetit për Imunizim në Maqedoninë e Veriut.
Kosova
I vetmi shtet tjetër si Shqipëria, që aktualisht pret vetëm ndihmën e parë nga Covax është Kosova. Sipas raportimit të mediave atje, nuk ka të dhëna të tjera se si do të sigurohen dozat e tjera të vaksinës veç 360 mijë dozave që do të vijnë nga Covax, por të paktën është qartësuar se qytetarëve të Kosovës i nevojiten gjithsej 1.2 milion doza, siç thonë autoritetet.
Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami ka thëne se Kosova do ta sigurojë vaksinën kundër koronavirusit, kurdo që ajo të jetë e gatshme, përmes Bankës Botërore.
“Ne jemi në negociata me Bankën Botërore që të hyjmë në një projekt të sigurimit të vaksinës anti-COVID, dhe me këtë do të jemi ndër vendet e para që do ta marrim sapo të dalë kjo vaksinë”, tha Bajrami.
Ndërkohë në Shqipëri informacionet për vaksinën mbeten të pakta. Anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve mjaftohen me faktin që Shqipëria është pjesë e mekanizmit COVAX dhe ka paguar kaparin, por askush nuk di të thotë: Sa është shuma e paguar? Sa vaksina do të blihen dhe sa përqind e popullsisë do të vaksinohet, apo se kush do të vaksinohet i pari?
Hera e fundit që Rama ka dhënë një afat se kur do të mbërrijë vaksina në Shqipëri ishte në emisionin Open në 12 nëntor.
“Për vaksinën, disa shtete po bëjnë lëvizje mes njëri tjetrin. Unë nuk e di se kur do vijë tek ne. Por siç thuhet do jetë gati në periudhën prill-maj. Ne ndërkohë do përgatitemi që të jemi gati deri atëherë”, tha kryeministri duke dhënë një afat, që duhet ta ketë zhgënjyer Erion Veliajn kur e ka dëgjuar, sepse pritshmëri të tilla nuk i kanë hije “mikut të kokave të botës”.
(Lapsi.al)