Chelsea me një këmbë në gjysmëfinale, por Porto ëndërron një tjetër “mrekulli” në Champions 0 28

Me kualifikimin në dorë pas fitores 2-0 në ndeshjen e vajtjes të luajtur në transfertë, Chelsea pret i qetë sfidën e dytë kundër Portos. Blutë e Londrës kanë në anën e tyre të gjitha parashikimet, por eksperienca e detyron Thomas Tuchel të mos i besojë ato. Tekniku gjerman pret një ndeshje të vështirë, megjithëse nuk e fsheh optimizmin se skuadra e tij mund të shkojë deri te trofeu i Champions. “

Ne kemi në mëndje gjysmëfinalen dhe më pas finalen. Isha i qartë sepse nuk kemi agjë për të fshehur. Chelsi mund të fitojë çdo ndeshje dhe trofe. Është ndërtuar për këtë. Por nuk mund të flemë me ëndrra. Asgjë nuk është vendosur dhe për t’u kualifikuar duhet të fitojmë sërish me Porton dhe kjo nuk do të jetë e lehtë”, ka thënë Tuchel që me përjashtim të Kovacic ka në dispozicion të gjithë futbollistët e tjerë.

Humbja në shtëpi ka ulur ndjeshëm kuotat e Portos, por nuk është dorëzuar Sergio Conceicao. Tekniku portugez beson te një tjetër sipërmarrje të madhe si ajo kundër Juventus në fazën e 1/8. “Kemi treguar se mund të kalojmë sfida të vështira. Kjo bindje na vjen nga puna që bëjmë çdo ditë. Kemi besim. E dimë që do të jetë e vështirë, por jo e pamundur”, ka thënë Conceicao, që për këtë ndeshje i kthehen në dispozicion Sergio Oliveira dhe Taremi, dy titullarët që munguan në sfidën e vajtjes. Ashtu si një javë më parë, ndeshja mes Chelsea dhe Porto do të luhet në stadiumin e Sevilla./BW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Euro zbret në nivelin më të ulët të këtij viti në tregun vendas, ja shkaqet 0 6

Monedha e përbashkët prej ditësh është në tendencë rënëse në tregun e brendshëm, ndërsa gjatë ditës së sotme ka zbritur në nivelin më të ulët të këtij viti. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 122.92 lekë, nga 123.01 të premten e javës së kaluar.

Ky është niveli më i ulët euros i këtij viti dhe në kuota të ngjashme me fundin e vitit të kaluar përpara festave të fundvitit.

Euro ka qenë e nënçuar në tregun vendas, ndonëse në bursat ndërkombëtare ajo është në rritje që prej muajit prill, duke u këmbyer me 1.22 dollarë, niveli më i lartë që nga shkurti.

Aktorët e tregut pohojnë se rënia e monedhës së përbashkët në tregun vendas lidhet me faktorë të brendshëm, si oferta e lartë për euro dhe kërkesa e ulët për to. Ata pohojnë se euro pothuajse nuk tërhiqet fare. Ndërsa oferta vjen nga një gjallërim i turizmit në vend, por burimi më i lartë vijojnë të mbeten kanalet informale.

Në rënie në tregun e brendshëm ishte dhe dollari, që ka rënë me ritme më të larta sesa në bursa. Një dollar u këmbye gjatë ditës së sotme me 101.1 lekë, nga 101.89 lekë të premten e javës së kaluar, duke u këmbyer në nivelet më të ulëta që nga fillimi i janarit të këtij viti.

Në bursat ndërkombëtare, euro ka qenë e qëndrueshme, pasi të dhënat treguan për një përmirësim të besimit të biznesit gjerman, ekonomia më e madhe e Europës. Ndërsa javën e kaluar, dollari ra në nivelin më të ulët që nga mesi i 2018-s, për shkak të dhënave më të dobëta sesa priteshin për ecurinë e tregut të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

/Monitor

Një nga pikat e programit të qeverisë Kurti, por a mund ta padisë Kosova Serbinë për gjenocid gjatë luftës së Kosovës? 0 13

Qeveria e Kosovës thotë se do të ngrejë padi në GJND ndaj Serbisë për gjenocid gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/99. Njohësit e ҫështjeve juridike shprehen skeptikë nëse Kosova mund ta bëjë një gjë të tillë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i vendosur që gjatë mandatit të tij qeverisës ta padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës. Këtë pikë kryeministri i Kosovës e ka përfshirë në programin e vet qeveritar duke thënë, se “çështja e padisë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të jetë një nga përparësitë e punës së tij gjatë mandatit qeverisës”.

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha kryeministri Kurti pas miratimit të programit të vet qeveritar. Kryeministri Kurti tha se përgatitjet për padi “janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.

Vuçiç: Padia kërcënim dhe as nuk duhet provuar
Paralajmërimi i qeverisë së Kosovës për padi për gjenocid ndaj Serbisë nxiti reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se “Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”. Madje ai i rekomandon Kosovës që mos të provojë ta bëjë një gjë të tillë”, duke e cilësuar edhe si kërcënim. “Po kërcënoni Serbinë me gjyq për gjenocid? Mund ta realizoni këtë vetëm përmes një shteti tjetër, që është Shqipëria, e kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. U kërkoj shqiptarëve të Kosovës që të mos e bëjnë këtë”, tha Vuҫiq citojnë mediet në Serbi presidentin serb.

 

 

Kurti

Ekspertët: Pa pajtim me SHBA e BE padia do kishte kundërefekt
Njohësit e çështjeve juridike nga ana e tyre shprehen skeptik për nismën e qeverisë së Kosovës për ta paditur Serbinë për gjenocid në Kosovë, pikërisht duke përmedur faktin që Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe formalisht nuk mund ta bëjë këtë. Kështu i tha DW-së Ehat Miftaraj drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD). “Në aspektin formal, Kosova nuk ka kapacitet për të ushtruar padi për gjenocid ndaj Serbisë, padi e cila do të konsiderohej e pranueshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Shtetndërtimi i Kosovës është ngushtë i lidhur dhe i varur nga mbështetja dhe ndihma e partnerëve ndërkombëtarë, andaj edhe çdo veprim në këtë drejtim duhet të ketë vëmendjen e tyre, koordinimin dhe bashkëpunimin. Çdo veprim i njëanshëm i Kosovës pa pajtim me SHBA-në dhe BE-në, kam frikë se do të kishte kundërefekt dhe do të vinte Kosovën në një situatë të pafavorshme”, thotë Ehat Miftaraj.

Ehat Miftaraj

Sipas tij edhe nëse Kosova nëpërmjet Shqipërisë do ta padisë Serbinë për gjenocid, kjo mund të sjellë telashe të tjera. “Në aspektin formal Shqipëria ka të drejtë të ushtroj padi njësoj si çdo shtet anëtar i Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por se shtetet e tjera serioze në këtë rast do të hezitonin të ndërmerrnin një hap të tillë duke marrë për bazë lidhjen shumë të afërt dhe vëllazërore që ka Shqipëria me Kosovën”.

Mundësia pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Një njohës tjetër i çështjeve juridike, Afrim Hoti, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se ekziston një mundësi që pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë entitetet e caktuara mund të ngrenë padi, por të cilat paraprakisht obligohen t’iu nënshtrohen rregullave dhe procedurave të caktuara të kësaj gjykate, por gjithnjë ekziston skepticizmi për rezultat pozitiv. “Është një deklaratë që deponohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë përmes së cilës Republika e Kosovës, si shtet që nuk është anëtar i OKB-së, deklaron që e pranon autoritetin e gjykatës dhe i pranon vendimet që jepen nga GJND-ja. Këto janë raste shumë të rralla, që njihen si të tilla që statuti i gjykatës e lejon një mundësi të tillë, sikundër që edhe entitetet që kanë pozicion pak a shumë të ngjashëm si Kosova janë të rralla. Juridikisht, palë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë vetëm shtetet e pavarura dhe të cilat njëkohësisht janë pjesë e OKB-së”, thotë Afrim Hoti.

Kosova mund ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ngritur padi për gjenocid ndaj Serbisë, por sipas Hotit, “duhet bërë një dallim elementar ndërmjet deklarimeve politike dhe deponimit formal”, që nuk do të thotë që është përmbyllur procesi. “Ai do të mund të konsiderohet si një veprim juridik, mirëpo, për vërtetimin e ekzistimit të krimit, duhet të deponohen edhe shumë fakte të tjera për t’i pranuar gjykata”, shprehet profesori Afrim Hoti.

Kosove 1999

Shqiptarët në Kosovë e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe të sigurisë gjatë luftës së viteve 1998-1999, ku u vranë mbi 10 mijë veta, mijëra të tjerë llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Në vitin 1999, Kroacia kishte ngritur padi ndaj Serbisë në GJND për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995. Në vitin 2010, Serbia kishte paraqitur një kundër-padi ndaj Kroacisë, duke thënë se rreth 200 mijë serbë etnikë janë zhvendosur, kur Kroacia kishte filluar operacionin ushtarak në kërkim të territoreve të pretenduara prej saj. E në vitin 2015 GJND-ja vendosi që as Serbia e as Kroacia, nuk kanë kryer gjenocid ndaj njëra tjetrës. Ndërkaq, sa i përket rastit të Bosnjes e Hercegovinës, përkatësisht rasti Srebrenica, në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se vrasjet e rreth 8 mijë muslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë, kanë përbërë gjenocid, por kjo Gjykatë u shpreh, se Serbia nuk e kishte parandaluar gjenocidin, por gjithashtu tha, se edhe se nuk kishte prova të mjaftueshme që Serbia kishte përgjegjësi të drejtpërdrejt për këtë. Në vitin 2017, Bosnja e Hercegovina kërkoi rishikimin e këtij vedimi por, GJND-ja e hodhi poshtë këtë kërkesë.