Biden bën thirrje për ligje më të forta për kontrollin e armëve 0 26

Presidenti Joe Biden po i bën thirrje Kongresit të miratojë ligje më të forta për kontrollin e armëve pas dy masakrave të fundit, një në Xhorxhia dhe një në Kolorado. Siç ka ndodhur edhe më parë, propozimet për ndryshime në ligjet për armëmbajtjen zgjojnë gjithmonë rezistencë të fortë nga republikanët.

Pas masakrës në një supermarket në Boulder të Kolorados, vetëm pak ditë pas një incidenti të ngjashëm në Altanta të Xhorxhias, përsëri flamujt janë ulur në gjysmë shtizë në Shtëpinë e Bardhë.

Të martën, Presidenti Biden i bëri thirrje Kongresit të veprojë menjëherë për të forcuar ligjet e kontrollit të armëve që janë ndër më të butat ndër vendet e përparuara demokratike.

“Mund të ndalojmë armët gjysmë automatike dhe karikatorët me kapacitet të lartë përsëri në këtë vend,” tha presidenti.

Ndalimi 10-vjeçar i armëve gjysmë-automatike i miratuar në 1994 skadoi në 2004 dhe nuk është riaktivizuar pasi republikanët e kundërshtojnë me forcë. Kjo temë shoqërohet me përçarje të forta partiake, siç u bë e qartë të martën në Senat:

“Sa herë ndodhin masakra, demokratët në këtë komision propozojnë t’ua heqim armët qytetarëve që respektojnë ligjin, thjesht sepse e kanë si synim politik,” thotë Senatori republikan Ted Cruz.

“Si shumë amerikanë të tjerë, e kam të shenjtë të drejtën e armëmbajtjes. Në një dialog për kontrollin e armëve, ne rrallë herë flasim për ata amerikanë të shumtë, të cilët janë të bashkuar në mbrojtje të kësaj të drejte,” tha Senatori Chuck Grassley.

Presidenti Biden po ashtu i bëri thirrje Senatit të miratojë projektligje për zgjerimin e kontrollit të biografisë së atyre që duan të blejnë armë, të miratuar rishtazi në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Kontrolli i historikut të personit, ligje për persona në rrezik ekstrem që synojnë parandalimin e vetëvrasjeve, masakrat dhe krimet e urrejtjes. Akte për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje, të gjitha këto mund t’i realizojmë,” tha Senatori demokrat Richard Blumenthal.

Zoti Biden gjatë fushatës premtoi se do të punonte për të ndalur dhunën nga armët, por mbetet e paqartë se sa kapital politik mund të shpenzojë për këtë çështje kur ka përparësi të tjera legjislative, përfshirë një paketë projektesh në infrastrukturë dhe reforma në imigracion me vlerë 3 trilionë dollarë.

Presidentë të mëparshëm demokratë janë përpjekur pa sukses të forcojnë ligjet, përfshirë Presidentin Obama pas masakrës së 2012-ës në një shkollë fillore ku mbetën të vrarë 20 fëmijë dhe 7 të rritur.

E drejta e armëmbajtjes mbrohet nga Amendamenti i Dytë i Kushtetutës. Lobi i fuqishëm pro-armëmbajtjes u bën rezistencë ligjeve për forcimin e kontrolleve.

“Nëse do të miratohen ndryshime, mendoj se do të jenë për kontrolle të përgjithshme të historikut për shitblerjen e armëve, mbylljen e të çarave në ligjet aktuale për kontrollin e historikut të blerësve të armëve,” thotë analisti Darrell Miller.

Amerikanët zotërojnë afro 45% të armëve që ka popullata civile e botës, ose rreth 120 armë për çdo 100 banorë.

Ky vend ka gjithashtu ritmet më të larta të vrasjeve me armë zjarri. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në 2019 u regjistruan afërsisht 40,000 vrasje nga dhuna me armë./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Presidenti i SHBA, Joe Biden i shkruan letër Vjosa Osmanit: Marrëveshja Kosovë-Serbi të përqëndrohet tek njohja reciproke 0 5

Presidenti i SHBA, Joe Biden i ka shkruar një letër homologes së tij në Kosovë, Vjosa Osmani.

Joe Biden në mënyrë të qartë i ofron mbështetje Osmanit për dialogun me Serbinë, teksa thekson se marrëveshja gjithëpërfshirëse përfundimtare të bazohet tek njohja reciproke.

Po ashtu Biden zotohet se i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Osmanit që SHBA të ndihmojë me vaksina ndaj COVID-19 edhe Kosovën e cila ka probleme në këtë drejtim.

LETRA E PLOTË 

 

Presidentja Osmani pranon letër nga Presidenti Biden: Partneriteti ynë është i rrënjosur në vlera të përbashkëta

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili e ka uruar në emër të popullit amerikan për zgjedhjen në krye të shtetit.

Presidenti Biden ka përmendur marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve dhe partneritetin e gjatë të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën. Në këtë kontekst, Presidenti amerikan ka përmendur të birin e tij Beau, i cili ka shërbyer në Kosovën në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër për “avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.

Më tej në letër, Presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike. Presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Presidentes Osmani që SHBA-të të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë.

Në letrën e Presidentit Biden theksohet, gjithashtu se ShBA-të, mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke .

Meta i përgjigjet Ramës: Bablok, shqiptarët e dinë se ku kurdisesh ti për t’i përçarë. Përgjigjen e merr më 25 prill 0 3

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama në lidhje me incidentin e ndodhur në Kavajë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri, një nga aktivistët e Partisë Demokratike, Bledar Okshtuni.
Në lidhje në rastin në fjalë, Rama tha se incidenti s’ka prapavijë politike dhe shtoi se autori, Ndriçim Jonuzi (Tahiri) është militant i PD.

Por në një foto, të publikuar nga presidenti, autori, së bashku me dy personazhet që dyshohet se kanë qenë në pranishëm në ngjarje, Markel Shtylla dhe Dorjan Troplini, shihen në duke drekuar së bashku me kryetarin e Bashkisë së Kavjaës Redian Krali dhe funksioanrë të tjerë të PD në Kavajë.

Sakaq, Meta i shtron disa pyetje kryeministrit ku i rendit disa nga skandalet që është përfolur PS ndër vite dhe i shkruan: “Unë do të shkoj në shtëpi kur ti të shkosh në psikiatri”.

 

 

“Lidheni të Marrin shokë socialistë përpara se të ketë fatin e furgonit në Berat. Pse Meta u tha tre banditëve të “Rilindjes” të hynin në zyrën elektorale të PD dhe të qëllonin me armë Sekretarin demokrat? Me kë janë në këtë foto këta të katërt?

Me Metën apo me Kryebashkiakun e emëruar rilindas të Kavajës dhe shtabin e tij elektoral? Pse Meta e porositi Damjanin publikisht të përsërisë “tërmetin” e Dibrës në Vlorë? Pse Meta emëroi një ushtri patronazhistësh për të survejuar e shantazhuar 900 mijë qytetarë të Qarkut Tiranë?
Kush e prishi Marrëveshjen e 5 Qershorit nga tmerri i zgjedhjeve të lira?
Bablok, shqiptarët e dine shumë mirë se ku kurdisesh ti për t’i përçarë shqiptarët në Shqipëri dhe rajon. Me qetësi dhe vendosmëri do e marrësh përgjigjen më

25 Prill nga të gjithë shqiptarët patriotë dhe europianë. Dhe në radhë të parë nga socialistët, që u shkatërrove çdo vlerë pozitive dhe njerëzore.

Unë do shkoj në shtëpi kur ti të shkosh në psikiatri!

Shqipëria e shqiptarëve! Shqipëria në Bashkimin Europian!

Pas 25 Prillit kjo rrugë nuk ndalet më asnjë sekondë!”, shkruan Meta.