A do të jetë për herë të parë në histori në krye të Pentagonit një grua? Kush është e përfolura për këtë post 0 36

Pritet që presidenti i ri i zgjedhur amerikan Joe Biden të ndërmarrë një hap historik, dhe për herë të parë të zgjedhë një femër në krye të Pentagonit, duke thyer kështu një nga barrierat e rralla të mbetura për gratë në qeveri, shkruan Associated Press.

Siç raporton kjo agjenci, zyrtarët amerikanë dhe figurat kyçe të fushës së sigurisë konsiderojnë që Michele Flournoy, veterane e Pentagonit, si zgjidhje e duhur për këtë post.

E cilësuar si një “dorë stabile që favorizon bashkëpunimin e fuqishëm ushtarak jashtë vendit”, 59-vjeçarja Flournoy ka shërbyer shumë herë në Petangon, duke filluar gjatë viteve të 90-ta, e qëndrimet e saj sigurisht se do t’i siguronin përkrahjen nga të dyja palët për këtë post që kërkon miratimin edhe në Senat.

28 burrat që më parë shërbyen në këtë post nga viti 1947, përfshirë edhe treshen në administratën e Trumpit, kanë qenë veteranë ushtarakë. Por, Flournoy nuk ka shërbyer në ushtri.

Në dallim nga kolegët e saj që shërbyen në këtë post, Flournoy e sheh Kinën si sfidën më afatgjate në skenën ndërkombëtare.

Në korrik ajo tha se Shtetet e Bashkuara po e humbin përparësinë që e kanë ndaj konkurrentëve siç është Kina, sa i përket zhvillimit të teknologjisë ushtarake, ku sipas saj ky trend duhet të jetë prioritet i Pentagonit.

Megjithatë ajo është kundër largimit nga Lindja e Mesme dhe për këtë mbështet idenë “e prezencës së vazhdueshme por në volum më të vogël”. Ka mbështetur kufizimin e rolit në Afganistan duke u fokusuar më shumë në luftën kundër terrorizmit.

Trump kishte këmbëngulur vazhdimisht për tërheqjen e plotë të trupave ushtarake amerikane nga Afganistani, por deri më tani Pentagoni nuk ka marrë ndonjë urdhër për ta bërë një gjë të tillë.

Sa i përket Koresë së Veriut, ka thënë se forumin e tetorit se edhe pse arsenali bërthamor duhet të jetë qëllimi kryesor, ajo e ka të vështirë ta mendoj se si Kim Jong-un mund të pajtohet aq lehtë të heq dorë nga armët bërthamore, që i konsideron edhe si “biletë për mbijetesë”.

E kur është në pyetje Irani, Flournoy mbron qasjen e “rishikimit” të Republikës Islamike duke thyer modelin e njohur të dërgimit të sa më shumë forcave amerikane në Gjirin Persik si kundërpërgjigje ndaj provokimeve nga ana e Iranit, siç edhe bëri administrata Trump në maj të vitit të kaluar që u quajt si kërcënim i interesave të Shteteve të Bashkuara në rajon./B.W

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WOW! Ylli botëror shkëlqen e veshur nga stilisti shqiptar! 0 5

Stilisti i njohur shqiptar, Valdrin Sahiti ka veshur modelen e njohur amerikane, Chrissy Teigen.

Bukuroshja ka marrë pjesë në “Global Citizen Vax: Koncerti për të ribashkuar botën”, e veshur me një fustan të stiluar nga ai.

Chrissy ka marrë të gjithë vëmendjen në tapetin e kuq, me fustanin në ngjyrë portokalli dhe material saten. Ajo shoqërohej nga vajza e saj Luna.

Neutralizoi 32-vjeçarin që hyri me makinë në sheshin “Skënderbej”, Veliaj i jep të riut titullin “Mirënjohja e Qytetit” 0 6

Klodian Elqeni, i riu që neutralizoi një 32-vjeçar që hyri me makinë mes përmes sheshit “Skënderbej” duke rrezikuar jetën e qytetarëve më 25 prill nga sot do të jetë mirënjohja e Tiranës.

I riu është nderuar sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Duke i shprehur mirënjohjen e thellë për gjestin e tij prej një heroi modern, duke shpëtuar disa dhjetëra qytetarë mes të cilëve edhe mjaft fëmijë që ndodheshin në shesh, Veliaj tha se të tillë heronj na bëjnë krenarë dhe meritojnë vlerësim prej të gjithëve ne.

“Do të doja shumë që edhe në emër të qytetit të të falënderoja! Mund të kishte ndodhur edhe hataja me aq shumë qytetarë e fëmijë që po loznin, por na shpëtoi Zoti, se ndonjëherë Zoti çon një njeri të mirë që të shpëtojë të tjerët. Ndaj të falenderoj shumë dhe dua që në emër të qytetit të të jap këtë medalje të mirënjohjes, me shpresë që të kthehet në shembull edhe për të tjerët. Unë besoj që asnjë prej nesh nuk e merr me përshkrim pune gjënë e mirë që duhet të bëjë. Disa njerëzve iu vjen nga brenda dhe instiktive, ndaj shpesh them, mos prisni që të jetë shteti kudo. Çdo njeri që sheh një nevojë, mund të jetë në një lagje, në komunitet, mund të jetë në një shkollë, apo në një shesh, mos prit të të vijë urdhri nga shteti të reagosh, shihe atë nevojë dhe plotësoje. Pastaj mirënjohja dhe falenderimi sigurisht që do të vijnë. Shpresoj shumë që djem dhe vajza të rinj e kanë marrë këtë mesazh dhe të kanë parë si frymëzim”, tha ndër të tjera Veliaj.

Vetë i riu i cili guxoi dhe ndaloi çmendurinë ditën që përkoi me atë të votimeve për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, u shpreh se ndihet mjaft i vlerësuar.

“Nuk e kisha menduar kurrë! Është diçka vërtet e çuditshme në një kohë kaq të shkurtër për mua, por ndjehem shumë mirë dhe shumë i vlerësuar nga shqiptarët anembanë dhe posaçërisht nga Lali Eri, kryetari ynë dhe nga të gjithë absolutisht. Ju falenderoj shumë të gjithëve,” u shpreh Klodiani.

 

 

Ngjarja e ndodhur mesditën e së dielës në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku një automjet tip “Citroen” vuri në rrezik jetën e njerëzve, u mbyll pa persona të lënduar, vetëm se në atë moment të shesh ndodhej i riu Klodian Elqeni, vetëm 22 vjec, i cili, me një veprim tejet të guximshëm arriti të neutralizonte drejtuesin e makinës, që ishte nën efektin e lëndëve narkotike.