“Nëse do të më vini nën akuzë (impeachment), mendoj se tregjet do të shembeshin”.
Donald Trump iu përgjigj me një paralajmërim spekulimeve se mund t’i nënshtrohet një procesi “impeachment”-i.
Deklarata e presidentit amerikan ishte e qartë. Çdo lëvizje e kësaj natyre do të dëmtonte ekonominë.
“Mendoj se të gjithë do të bëheshin më të varfër. Nuk e di se si dikush mund të vihet nën akuzë kur ai është duke bërë një punë të mirë”. Thashethemet për fajësimin e Trump kanë dalë pasi ish-avokati Michael Cohen dhe ish-bashkëpunëtori Paul Manafort janë akuzuar për 8 vepra penale.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, rrallëherë ka folur për mundësinë e një “impeachment”, ndërsa korrespondentët e huaj thonë se janë të pakta gjasat, që kundërshtarët e Trump të përpiqen ta rrëzojnë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në muajin nëntor.
Avokati i tij, Michael Cohen u deklarua fajtor për shkeljen e ligjeve elektorale, e tha se kishte qenë pikërisht Trump që e kishte udhëzuar të bënte një gjë të tillë.
Cohen rrëfeu se gjatë fushatës presidenciale ka paguar dy gra, të cilat thonë se kanë pasur marrëdhënie intime me miliarderin, një yll të filmave për të rritur dhe një ish-modele “Playboy”.
Trump më pas kritikoi Cohen duke thënë se “të deklarohesh fajtor në këmbim të një reduktimi të dënimit duhet të jetë e paligjshme”.